Haradinaj: Jemi për një qeveri të gjerë
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka komentuar deklaratat për përfshirjen e mundshme të PDK-së në qeveri.
Në një prononcim për “Kosovapress”, Haradinaj ka thënë se LDK-ja e ka të drejtën të negociojë për zgjerimin e qeverisë, pasi ajo është edhe krijuese e këtij koalicioni.
Në këtë kontekst, Haradinaj ka shtuar se përkrahin një qeveri me bazë të gjerë dhe stabile e cila do të ndihmonte proceset nëpër të cilat është duke kaluar vendi.
Megjithatë, ai ka thënë se AAK-ja është e gatshme edhe për zgjedhje të reja.
“LDK-ja si udhëheqëse e koalicionit, pra qeveria është krijuar nga LDK-ja, ka të drejtën me negociuar dhe diskutuar për format e ardhshme të koalicionit qeverisës. Kuptohet Aleanca e ka vizionin e vet se si duhet të ecë përpara. Ne e kemi bërë propozimin tonë, mirëpo nëse krijohet një qeveri e gjerë stabile ajo mund të jetë ndihmesë për procesin të cilin po kalon vendi. E po ashtu asnjëherë nuk duhet t’i ikim kthimit të sovranit, pra kthimit tek zgjedhjet, tek votuesit, tek qytetari sepse në fund të fundit qytetari e ka të drejtën të vendosë për me tutje, pra demokracia jonë është demokraci vepruese dhe deri tani zgjedhjet kanë qenë me të mirat të mundshme”, ka thënë Haradinaj.