Haradinaj: Jemi të përkushtuar t’i mbrojmë fëmijët tanë
Konferencën e mbajtur sot me temën “Edukimi, çelës për t’u përballur me ekstremizmin dhe radikalizmin online”, kryeministri Ramush Haradinaj e vlerësoi si moment të mirë për të folur për brengat me të cilat përballen jo vetëm prindërit, por edhe shoqëria në tërësi dhe institucionet e vendit.
Haradinaj ka theksuar se institucionet nuk guxojnë t’i mbyllin sytë dhe të pranojnë të jenë fushëbetejë e atyre që vijnë nga larg për t’i marrë fëmijët tanë.
Në konferencën e organizuar nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, me rastin e fillimit të javës për internet të sigurt me moton: “Krijo, lidhu dhe trego respekt: Një internet më i mirë fillon me ty”, kryeministri Haradinaj ka pohuar institucionet nuk duhet lejuar ata që tentojnë t’i bëjnë fëmijët tanë vrasës, që këtë ta bëjnë para syve tanë, para prindërve, para edukatorëve, para institucioneve të rendit dhe të ligjit.
“Qëllimi i Kosovës është t’i themi Stop depërtimit, mbërritjes dhe marrjes së fëmijëve. Dikur është vonë nëse nuk reagojmë me kohë. Nuk guxojmë dhe s’do ta lejojmë këtë. Kushdo që bënë paqe me këtë, është duke u pajtuar që fëmija i tij/saj, ta ketë atë fat. Do të jemi bashkë, do të jemi unik dhe të vendosur që mos ta lejojmë këtë. Do t’i gjejmë të gjitha rrugët, mundësitë dhe mjetet e nevojshme që kjo mos t’i ndodhë Kosovës”, ka deklaruar kryeministri Haradinaj.
Para të pranishmëve, kryeministri Haradinaj u zotua se nuk do të ndalet në mbrojtjen e fëmijëve nga çfarëdo ekspozimi i keq. “Apeli është i qartë, nuk është alternativë ideologjia që çon kah terrorizmi, nuk është zgjidhje, është mashtrim për familjet tona”, është shprehur kryeministri, duke falënderuar edhe partnerët ndërkombëtar që kanë ndihmuar në këtë rrugë.