Haradinaj jep detaje nga takimi me Escobarin dhe Lajçakun
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj është deklaruar lidhur me takimin që ka pasur me emisarin amerikan, Gabriel Escobar si dhe përfaqësuesin special të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.
Haradinaj ka thënë se në këtë takim ka ripërsëritur përkushtimin për një marrëveshje gjithëpërfshirëse ligjërisht të obligueshme, e cila ka për epilog njohjen reciproke me kufijtë ekzistues.
Haradinaj në llogarinë e vet në “Facebook” ka shkruar se ka falënderuar përfaqësuesin e ShBA-së dhe atë të BE-së për angazhimin e tyre në çështjet e Kosovës.
Postimi i plotë i Haradinajt:
Kam zhvilluar një takim sot, me emisarin amerikan shkëlqesinë e tij, Gabriel Escobar, ndihmësasistent i sekretarit të shtetit për çështje të Evropës dhe Evroazisë dhe përfaqësuesin Special të BE-së për dialogun Kosovë – Serbi dhe Çështje të tjera të Ballkanit Perëndimor, shkëlqesinë e tij, Miroslav Lajçak. Gjithashtu ishte kënaqësi ta takoja ambasadorin e ri amerikan në Kosovë, shkëlqesinë e tij, Jeffrey M. Hovenier.
Kam ripërsëritur përkushtimin tonë për një marrëveshje gjithëpërfshirëse ligjërisht të obligueshme, e cila ka epilog njohjen reciproke në kufijtë ekzistues dhe respekton rendin kushtetues të Republikës së Kosovës, gjë që mund të arrihet vetëm me rolin aktiv të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Gjithashtu i falënderova për angazhimin e tyre, Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian, për Republikën e Kosovës.