Haradinaj jep lajmin e shumëpritur për vizat: Rekomandimi i Komisionit Evropian është pozitiv
Kryeministri Ramush Haradinaj i cili ndodhet në Bruksel ka thënë se Kosova mori lajmin e shumëpritur për hapjen e rrugës drejt lëvizjes së lirë dhe përafrimit me familjen e madhe evropiane.
“Populli i Kosovës me shumë arsye i gëzohet sot rekomandimit pozitiv të Komisionit Evropian për lëvizje të lirë në vendet e BE-së, duke u vlerësuar i barabartë me të gjithë qytetarët tjerë të rajonit dhe ata evropianë. Me shumë përkushtim dhe vizion Qeveria që unë drejtoj, përgjatë tërë këtyre muajve, ka punuar pa u kursyer, në përmbushjen e kritereve të fundit të BE-së”, ka shkruar Haradinaj në llogarinë e vet në “Facebook”.
Ai ka shtuar se duke qenë të vetëdijshëm për sfidat, do ta intensifikojnë luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe fuqizimin e vazhdueshëm të sundimit të ligjit, me bindjen se Parlamenti dhe Këshilli Evropian do të përfillin rekomandimin e Komisionit dhe qytetarët kosovarë do të lëvizin pa viza.
“Liberalizimi për Kosovën do të diskutohet deri në fund të gushtit në Parlamentin Evropian, kurse i tërë procesi pritet të përmbyllet deri në fund të vitit”, ka shkruar Haradinaj.
/Epoka e re/