Haradinaj: Ka vite që Vuçiqi i përdorë serbët e Kosovës për pushtetin e tij politik në Serbi
Kandidati për president të Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se Mitrovica po shfrytëzohet për lojëra të ndyta të presidentit serb, Aleksandër Vuçiq.
Haradinaj ka thënë se propaganda e Vuçiqit është duke e penguar integrimin e komunitetit serb në Kosovë.
“Mitrovica është shembull për lojën e ndytë të Vuçiqit. Ai po promovon frikë dhe kërcënim midis pakicës serbe në vendin tonë, duke ndërhyrë vazhdimisht në çështjet tona të brendshme. Propaganda e tij e luftës po e pengon integrimin e komunitetit serb në Kosovë. Ai ka vite që i përdor serbët e Kosovës për pushtetin e tij politik në Serbi”, ka thënë Haradinaj në tubimin elektoral të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) të mbajtur sot në Mitrovicë.
Haradinaj ka thënë se kërcënimet e vazhdueshme nga presidenti serb, e kanë penguar edhe rrugëtimin e vet Serbisë për të qenë në familjen e shteteve dhe kombeve.
“Vuçiqi nuk është mjaftuar me kaq. Në vazhdimësi e ka kërcënuar Kosovën dhe e ka pengu në rrugëtimin e vet për të qenë e barabartë në familjen e shteteve dhe kombeve”, ka thënë Haradinaj.