Haradinaj: Kam marrë masat për ndriçimin e rastit të dëbimit të shtetasve turq

12 mars 2019 | 14:32

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë të martën se ka ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për zbardhjen e plotë të rastit të dëbimit me forcë të shtetasve turq nga Kosova.

Ai ka theksuar se hapat e ndërmarrë nga ekzekutivi janë garantues se në situata të ngjashme ne do të jemi të pa kompromis në zbatimin e ligjeve të Kosovës.

Sipas Haradinajt, pa asnjë paragjykim, sundimi i ligjit do të jetë rruga jonë e vetme.

“Zbardhja e të vërtetës, përgjegjësve dhe shmangieve ligjore do t’i ndihmonin ndërtimit të demokracisë dhe të drejtave të njeriut. Askush nuk është mbi ligjin dhe asnjë institucion i Kosovës nuk do të shkelë mbi të drejtat universale të njeriut”, ka shkruar Haradinaj në llogarinë e vet në “Facebook”.

Postimi i plotë i tij:

Duke respektuar kompetencat e përcaktuara me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe duke respektuar legjislacionin në fuqi të Republikës së Kosovës kam konsideruar me rëndësi vitale ndriçimin e plotë të ngjarjes së dëbimit me forcë të shtetasve turq nga Kosova.

Për ta adresuar këtë situatë menjëherë kam marrë masa institucionale duke shkarkuar drejtorin e AKI-së dhe Ministrin e Punëve të Brendshme që kanë pasur përgjegjësi direkte mbi rastin.

Me angazhim të plotë për të qartësuar përgjegjësitë institucionale, shmangiet e mundshme kushtetuese dhe ligjore, mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe, mbi të gjitha, garantimin e sigurisë kombëtare, kam kërkuar raporte hetimore nga Kryeprokurori i Shtetit, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Kryeinspektori i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Sekretari i përgjithshëm i Ministrisë së Punëve të Brendshme, Inspektorati Policor i Kosovës, Autoriteti Civil i Aviacionit, Agjencia e Shërbimeve të Navigacionit Ajror.

Gjithashtu në respektim të llogaridhënies dhe ndarjes e kontrollit të pushtetit, i jam përgjigjur ftesës së Komisionit ad-hoc parlamentar që heton largimin me forcë të shtetasve turq. U jam përgjigjur pyetjeve të tyre dhe ju kam dorëzuar raport zyrtar mbi të gjitha veprimet e ekzekutivit.

Hapat e ndërmarrë nga ekzekutivi janë garantues se në situata të ngjashme ne do të jemi të pa kompromis në zbatimin e ligjeve të Kosovës. Pa asnjë paragjykim, sundimi i ligjit do të jetë rruga jonë e vetme.

Zbardhja e të vërtetës, përgjegjësve dhe shmangieve ligjore do t’i ndihmonin ndërtimit të demokracisë dhe të drejtave të njeriut. Askush nuk është mbi ligjin dhe asnjë institucion i Kosovës nuk do të shkelë mbi të drejtat universale të njeriut.

/Epoka e re/

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Parlamenti britanik mblidhet sot në darkë për të votuar një…