Haradinaj: Kamenica, shembull i mirë i një jete të integruar
“Kamenica ka dëshmuar një vetëdije të ngritur qytetare dhe këtë e tregon edhe fakti se shkalla e incidenteve në këtë Komunë është tejet e ulët”, kështu ka thënë kryeministri Ramush Haradinaj pas vizitës që bëri në komunën e Kamenicës, ku u prit nga kryetari i kësaj komune, Qëndron Kastrati me bashkëpunëtorë.
“Ardhja jonë në këtë komunë ka për qëllim për t’i përafruar temat që e preokupojnë komunën e Kamenicës. Diskutuam për projektet infrastrukturore, për gjendjen me ujë të pijshëm dhe gjendjen në shumë sektor, duke parë mundësitë e investimeve edhe nga partnerët tonë ndërkombëtarë, përvec Qeverisë sepse këtu jepet shembulli më i mirë i një jetë të integruar dhe ju përgëzojmë për këtë të gjithë juve”, ka thënë Haradinaj në konferencën për media pas takimit.
Testi PISA dhe përmirësimi i rezultateve në fushën e arsimit, ndarja e granteve për fermerët, projektet konkrete që do të angazhoni direkt të rinjtë e kësaj komune, renovimi i shtëpisë së kulturës dhe tema të tjera të rëndësishme për këtë vend ishin pjesë e diskutimit në takim.
Kryetari i komunës së Kamenicës Qëndron Kastrati, e ka falënderuar kryeministrin Haradinaj për vizitën, për siç tha të rrallë të një kryeministri në këtë komunë të vogël.
Vizitat e kryeministrit Haradinaj në komunat e Kosovës po zhvillohen në vazhdën e përpjekjeve të Qeverisë për të përafruar agjendën e dy niveleve me qëllim të përkrahjes dhe zhvillimit të projekteve të rëndësishme për qytetarët e Kosovës.
/Epoka e re/