Haradinaj: Këmbimi i përvojave mes fëmijëve kosovarë dhe gjermanë, i nevojshëm
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka pritur sot disa nxënës gjermanë dhe kosovarë, nga programi i këmbimit të nxënësve dhe studentëve me organizatën gjermane “Education Unlimited a.V” drejtuar nga Kerstin Zielosko Labonte.
Kryeministri Haradinaj, u shpreh i lumtur për mundësinë që kjo organizatë po iu jep nxënësve dhe studentëve, por edhe mësimdhënësve, për të këmbyer njohuri dhe përvoja të reja.
“Është fakt i mirë që projekti i nisur në bazë vullnetare, nga i cili kanë përfituar shumë nxënës nga vende të ndryshme të Kosovës, por nga viti i kaluar edhe 15 studentë dhe 4 mësimdhënës”, ka thënë se kryeministri Hardinaj, duke shtuar se tanimë lidhur me këtë projekt dhe për t’i dhënë më shumë mbështetje, Qeveria e Kosovës, një vit më parë, ka nënshkruar edhe memorandum mirëkuptimi në fushën e arsimit me organizatën “Education Unlimited a.V” dhe se është i lumtur që në këtë vizitë, që është e 9-ta me radhë, po i sheh rezultatet pozitive të këtij programi.
Kryeministri Haradinaj, duke përgëzuar nxënësit për përvojat dhe njohuritë e marra në shtetet përkatëse, ka thënë se falë këtij programi janë pranuar nxënës gjermanë, të cilët e kanë vizituar Kosovën, për ta parë një Kosovë ndryshe, një Kosovë evropiane.
Haradinaj, gjatë këtij takimi ka thënë se programi i tillë ka mundësuar vizitat e fëmijëve kosovarë në Parlamentin Evropian, përfaqësuesit e të cilit i kanë dhënë përkrahje programit.
“Falënderoj gjithë ato familje dhe vullnetarë nga Republika e Baden-Württemberg, të cilët kanë strehuar dhe ndihmuar fëmijët kosovarë gjatë qëndrimit të tyre në Gjermani dhe familjet kosovare po ashtu, që kanë strehuar dhe ndihmuar fëmijët gjermanë gjatë qëndrimit të tyre në Kosovë, në programet shkëmbyese që janë aplikuar deri më tani”, ka theksuar kryeministri Haradinaj.
/Epoka e re/