Haradinaj: Keqardhje për komunitetin serb që nuk e kishte kuptuar drejt ofertën time si kryeministër
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka thënë se është për keqardhje që përfaqësuesit e komunitetit serb, nuk e kishin kuptuar drejt ofertën e tij fisnike si kryeministër, për integrimin e tyre në institucionet e Kosovës.
“Për fat të keq ata nuk arritën ta kuptonin se krijimi i Ushtrisë së Kosovës, kjo edhe si parakusht i anëtarësimit në NATO, do të ishte garanci më e mirë edhe për perspektivën e komunitetit serb, por e mohuan atë duke e bërë një vlerësim të gabuar dhe duke injoruar kështu proceset integruese”, ka shkruar Haradinaj në “Facebook”.
Ai ka thënë se vendet anëtare të NATO-s e kanë shkallën më të lartë të respektimit të të drejtave të njeriut, pavarësisht etnisë apo çfarëdo përkatësie tjetër, gjë që do të ishte garanci edhe për komunitetin serb dhe të drejtat e tij.
“Është në interesin e përbashkët që sot, pavarësisht se raportet janë më të acaruara, ta kuptojmë drejt njëri-tjetrin dhe ta gjejmë rrugën, jo vetëm të de-eskalimit të situatës, por edhe perspektivën e bashkëpunimit, si e vetmja rrugë e paqes, stabilitetit dhe prosperitetit për të gjithë”, ka thënë Haradinaj.