Haradinaj kërkon angazhim nga zëvendësministrat
Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj, mëngjesin e sotëm ka pritur në takim pune zëvendësministrat në Qeverinë e Republikës së Kosovës, për të diskutuar rreth angazhimit të tyre institucional.
Kryeministri Haradinaj ka thënë se nga raportet që ka pranuar, ka kuptuar që për këto muaj ka pasur angazhim konkret nga ana e zëvendësministrave, një dëshmi kjo që secili nga ju e dini peshën e përgjegjësisë.
“Ju e keni kuptuar përgjegjësinë kushtetuese që keni. Jemi në një periudhë që ka peshë për vendin, ku secili e ka rolin e tij / saj. Ju ftoj të jemi bashkë që të mos dështojmë drejt rrugëtimit tonë drejt familjes evropiane”, ka thënë Haradinaj.
Më tej, kryeministri Haradinaj ka shtuar se sundimi i rendit dhe ligjit, njohjet e reja, gjendja ekonomike, arsimi, shëndetësia, mbrojtja, janë disa nga temat e ndjeshme dhe që kërkojnë shumë përkushtim, për të cilat kërkohet edhe angazhimi i gjithsecilit nga ne.
“Bëni përpjekje të komunikoni, të jepni nga vetja, që punët e mëdha që i ka vendi, të përmbyllen. Duhet ta përmbyllim me sukses këtë vit. Angazhimi juaj na ndihmon shumë”, ka deklaruar kryeministri Haradinaj, duke shtuar se nëse shkojmë të gjithë në këtë frymë, është i bindur se deri në fund të këtij viti, do t’i kemi efektet e angazhimit konkret.
Takimi i zëvendësministrave është i dyti i këtij niveli, i kërkuar nga kryeministri Haradinaj.
Takimi i radhës do të jetë pas gjashtë muajsh, për t’u përballur me rezultatet e matshme individuale.