Haradinaj kërkon debat parlamentar: Situata nuk duhet ta gjejë Qeverinë në gjumë
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka deklaruar se Kosova duhet të qëndrojë fuqishëm në krah me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, BE-së dhe Ukrainën dhe se nuk duhet bërë pre e provokimeve.
Haradinaj tha se agresioni rus ndaj Ukrainës është një skenar nëpër të cilin ka kaluar Kosova gjatë kohës së Millosheviqit.
Tutje Haradinaj tha se agresioni rus ndaj Ukrainës është një skenar nëpër të cilin ka kaluar Kosova gjatë kohës së Millosheviqit.
Ai shtoi se me urgjencë duhet të kthehet projekti i gazsjellësit amerikan, të përfundojë Strategjia Nacionale e Mbrojtjes si dhe të procedohet në Kuvend, Ligji për Fondin për Mbrojtje (donacion për Ushtrinë e Kosovës).
Postimi i plotë i Haradinajt:
Kosova duhet të qëndrojë fuqishëm në krah me ShBA, BE-në dhe Ukrainën. Nuk duhet të bëhemi pre e provokimeve me të cilat po përballemi edhe ne.
Lufta me dezinformata dhe lajme të rrejshme nuk na kursen as neve, andaj edhe duhet të jemi të kujdesshëm.
Agresioni Rus ndaj Ukrainës është një skenar nëpër të cilin ka kaluar Kosova gjatë kohës së Millosheviqit. Fatkeqësisht ky agresion vazhdon nga Putini dhe aleatët e tij në shtetet tjera edhe me pozicionin e tij për armët bërthamore. Bota demokratike tashmë e di se agresorët si Millosheviqi dhe Putini janë kundër vlerave tona të përbashkëta dhe të njëjtit i humbin luftërat.
Vitin e kaluar kam theksuar se Kosova nuk mund të pres pafundësisht për anëtarësim në organizatat ndërkombëtare, veçanërisht në Aleancën Veriatlantike.
Me urgjencë duhet të kthehet projekti i gazsjellësit amerikan, të përfundojë Strategjia Nacionale e Mbrojtjes si dhe të procedohet në Kuvend, ligji për Fondin për Mbrojtje (donacionet për Ushtrinë e Kosovës).
Të gjitha këto, krahas anëtarësimit tonë në NATO, do të krijojnë një realitet të ri të sigurisë në rajon dhe një të ardhme më të mirë për të gjithë qytetarët e vendit.
Për këto arsye do të kërkoj debat parlamentar rreth situatës së sigurisë në vend. Kjo situatë nuk duhet ta gjejë në gjumë qeverinë aktuale, por e njëjta duhet të angazhohet që këtë situatë ta shfrytëzojë sa më mirë, në dobi të Kosovës dhe qytetarëve.