Haradinaj kërkon dorëheqjen e Kurtit: Nuk mund të na heshtni, jemi arrë e fortë për ju

04 shtator 2021 | 14:15

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradianj përmes një postimi në rrjetin social Facebook ka kërkuar dorëheqjen e Albin Kurtit nga posti i Kryeministrit të Kosovës.

Ai ka thënë se nuk po merr përgjigje nga Kurti për pyetjet e shumta që i ka shtruar atij përderisa Kurti po angazhon hajdut të vegjël të dalin nëpër televizione.

“Ministrat tu, ai i Brendshëm, e Drejtësisë, dhe i Infrastrukturës dikur e akuzonin qeverinë time për Nexhat Krasniqin, siç e quanin “kryekriminel” dhe “baba i tenderëve”. Tash Nexhati është i angazhuar edhe në qeverinë tënde, konkretisht në ministrinë e cila në dy muaj ka dhënë 29 tenderën njëburimore. A u bëre edhe ti si Nexhati, apo ai u bë i mirë tash? Po 38 kontrata sekrete, në dobi të kujt janë? Ku po shkojnë ato para? Albin, po mundohesh të më heshtësh mua dhe Aleancën. Janë munduar edhe të tjerët, por nuk kanë arritur. Ne jemi arrë e fortë për ju. Albin, i harrove edhe përkrahësit e tu. Punësove vajza të tezeve, mbesa, axhallarë, motra e dhëndurë të elitës së pushtetarëve. A nuk ishte farefisi për dasma? E harrove barazinë sociale, godite edhe pensionistët. Godite mjekët e policët. E tash brenda ditës, gjobiten mbi 4000 qytetarë, në vend se të marrin mbështetje nga shteti”, ka shkruar Haradinaj.

Ai ka vazhduar me pyetje ndaj Kurtit se pse po i dëmton prodhuesit vendor duke ia hequr Serbisë taksën për prodhimet e subvencionuara nga Serbia, duke i thënë se nuk e ka vendosur reciprocitetin kur e ka hequr taksën.

Më tej Haradinaj ka pyetur Kurtin se a po marrin qytetarët kujdesin e duhur shëndetësor dhe se a i ka vizituar spitalet që të shoh përpjekjet titanike të mjekëve e stafit mjeksor, duke i kujtuar atij se me 2 gusht u krenua që mundi pandeminë dhe hoqi nga puna profesionistët mjekësorë.

“Albin, e nise vaksinimin me vonesë, duke e rrezikuar vendin dhe ekonominë që të mbyllet. Asnjë vaksinë nuk u sigurua nga buxheti shtetëror, e edhe ato që erdhën si donacione, po skadojnë për shkak të paaftësisë tënde dhe tagrambledhësve tu që të organizojnë e të hapin më shumë pika vaksinimi për qytetarët. Albin e shndërrove Kosovën në kampione të keqmenaxhimit me pandeminë. Përse nuk po reflekton, të kërkosh ndihmë e të bëhemi të gjithë bashkë në luftën kundër sëmundjes së shekullit? Albin, po gazi rus çfarë na duhet? Përse ky averzion ndaj aleatit tonë strategjik, Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Albin, po komunat çfarë faji kanë, që e ndërpreve mbështetjen për to? Po rruga Prishtinë – Pejë çfarë të pengon? Po rruga e Plavës? Po autostrada e Gjilanit, që na lidh me Preshevën? Si mund ta vendosësh veten në pozita të njëjta me Beogradin? Albin, ndale ushtrinë dixhitale. Nuk mund të dezinformosh më askënd, sepse secili qytetar i Kosovës, e ka të qartë që kryeministrat nuk merren me shpronësime e vlerësime pronash. A nuk ke fare turp? A nuk ke fare ndërgjegje? Albin ti u talle me punëtorët shëndetësorë e policinë. Të paktën siguroju arkivolet për motrat e vëllezërit tanë që me dhjetëra në ditë po vdesin në spitale. Albin tërë pushtetin e ke në duar. Vepro në të mirë të vendit. Mos sajo skandale për të harruar mijëra viktima të virusit. Mjegullnajat tua që po i krijon për zhvendosjen e vëmendjes nga problemet e vërteta, nuk të bëjnë punë”, shtoi Haradinaj.

Dhe në fund ai i kujtoi Kurtit se as ai dhe as Aleanca nuk do i mbështesin shkelësit e ligjit duke i thënë se ata i duan në burgje por jo përmes gjykimit publik të Kurtit por përmes organeve të drejtësisë të cilave po u bëhet presioni më i madh i mundshëm nga qeveria Kurti.

“Kush je ti? Ku po na çon? Ti që po e përdhos edhe gjakun e Dëshmorëve, që lëkund edhe eshtrat e tyre në varre. Ti që u bëre turpi i Kosovës. Marre!”, shkroi në fund Haradinaj.

Ndryshe Kurti me të ardhur në pushtet kishte ndaluar shtesat e pensionerëve, kishte premtuar shtesat për fëmijë e që ende nuk kanë ndodhur, ka premtuar se me largimin e taksës do vendosi reciprocitet e që nuk e ka bërë, e më pas me rënien e numrave të të infektuarve ai kishte larguar nga puna shumë punëtorë shëndetësor thuajse pandemia nuk ekziston më.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shkruan: Kimete Berisha Gastronomët të shkojnë të protestojnë për masat…