Haradinaj kërkon mbështetjen e Irlandës për anëtarësimin e Kosovës në UNESCO
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, ka pritur të martën në takim ambasadorin e Irlandës në Hungari, jorezident në Kosovë, Pat Kelly.
Haradinaj e ka njoftuar ambasadorin irlandez për progresin e arritur në Kosovë dhe përkushtimin e Qeverisë së Kosovës në zhvillimin ekonomik dhe vullnetin për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet dy shteteve.
“Qeveria e Kosovës, me përkrahjen e qytetarëve dhe të partnerëve ndërkombëtarë, është plotësisht e angazhuar në zhvillimin ekonomik të vendit, hapjen e vendeve të reja të punës, rritjen e mirëqenies sociale, proceset integruese evropiane dhe fuqizimin e institucioneve demokratike”, ka thënë Haradinaj.
Kryeministri Haradinaj ka kërkuar mbështetjen e Irlandës në rrugën e Kosovës drejt anëtarësimit në UNESCO, Interpol dhe në organizata të tjera ndërkombëtare.
Ndërsa ambasadori i Irlandës, Pat Kelly, ka vlerësuar progresin e arritur, duke shprehur mbështetjen e shumanshme të Irlandës për proceset në Kosovë dhe përkushtimin e Qeverisë irlandeze për bashkëpunim dhe për të ofruar përkrahje në zhvillimin ekonomik dhe proceset integruese evropiane.