Haradinaj kërkon ndihmën e Britanisë për Kosovën
Britania e Madhe e ka ndihmuar Kosovën në të gjitha fazat e shtetndërtimit dhe ndihma e këtij vendi mik është e nevojshme edhe për proceset e tanishme nëpër të cilat po kalon Kosova, veçmas në rrugën e saj integruese.
Kështu ka thënë kryeministri Ramush Haradinaj gjatë takimit me drejtoreshën për Ballkanin Perëndimor, në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Qeverisë Britanike, Fiona Mcilwham.
Haradinaj e ka njoftuar Mcilwham me të arriturat dhe sfidat e shtetit të Kosovës, me theks të veçantë në angazhimet dhe përkushtimin e Qeverisë për fuqizimin e rendit dhe ligjit, implementimet e marrëveshjeve të Brukselit dhe përkushtimin e Kosovës për rrugën evropiane.
Po ashtu, në takim u bisedua edhe për forcimin e bashkëpunimit ekonomik rajonal, avancimet e raporteve mes vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe procesin e dialogut me Serbinë.
Kryeministri Haradinaj ka theksuar se Kosova dhe institucionet e saj kanë punuar me përkushtim të shtuar për të plotësuar të gjitha kriteret për liberalizimin e vizave.
Ndërkaq, drejtoresha për Ballkanin Perëndimor, Fiona Mcilwham ka vlerësuar progresin e arritur në Kosovë dhe rajon, duke ofruar mbështetjen e plotë për angazhimin e institucioneve të Kosovës në sigurimin e paqes së qëndrueshme dhe perspektivës evropiane të Kosovës.
/Epoka e re/