Haradinaj kërkon nga fituesi i zgjedhjeve që t’i krijojë institucionet
Kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj, në një konferencë për medie, ka thënë se do të ishte mirë për vendin që sa më shpejt të formohen institucionet.
“Është mirë që sa më shpejtë të krijohen institucionet e vendit. Nuk është mirë të vonohen pakufi. Barra bie mbi fituesin. Këtu nuk e kam për ta shfajësuar dikë tjetër, por kush i ka fituar zgjedhjet, në këtë rast Vetëvendosje, barra i bie të komunikojë me palë për t’i krijuar institucionet”, ka thënë Haradinaj pas mbledhjes së Qeverisë.
Ai ka thënë se fituesit i takon të bëjë kompromise për t’i krijuar institucionet e Kosovës të dala nga zgjedhjet e 6 tetorit.
Haradinaj ka thënë se nuk i takon atij të merret me çështjet që janë duke biseduar LV-ja dhe LDK-ja, duke përfshirë pozitën e presidentit.
Në këtë kontekst, ai ka thënë për çështjen e presidentit nuk ka folur askush me të.
Haradinaj ka thënë se Qeveria e re për fat të keq nuk do t’i përmbush pritjet e qytetarëve. Sipas tij Qeveria Kurti do të jetë zhgënjim për qytetarët e Kosovës.