Haradinaj kërkon nga fituesit e zgjedhjeve t’i formojnë institucionet
Kryeministri në detyrë dhe lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka kërkuar nga Lëvizja Vetëvendosje dhe LDK-ja që t’i formojnë institucionet e dala nga zgjedhjet e 6 tetorit.
Këtë kërkesë, Haradinaj e ka bërë pas deklaratës se liderit të Vetëvendosjes dhe kandidati për kryeministër, Albin Kurti, i cili ka thënë se nëse nuk ka marrëveshje me LDK-në për bashkëqeverisje atëherë vendi do të shkojë në zgjedhje, raporton “Epoka e re”.
Haradinaj ka thënë se në këtë fazë nëpër të cilën është duke kaluar Kosova nuk është mirë të flitet për zgjedhje.
“Mendoj se nuk duhet me abuzuar me situatën në vend. Një qasje e tillë imponuese ose kërcënuese që i dëgjojmë tek partnerët e koalicionit me duket e çuditshme. Kushdo që është mandatar zyrtar duhet të bëjë kujdes sepse i faturohet pazotësia për me i krijuar institucionet. Nuk mendoj se është drejtimi i duhur. Nuk është rregull me bërë eksperiment”, ka thënë Haradinaj.