Haradinaj kërkon nga Kosova ta zbatojë pa vonesë planin franko-gjerman
Lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka vlerësuar se Republika e Kosovës nuk mund të jetë peng i destruktivitetit të Serbisë.
Në këtë kontekst, Haradinaj ka theksuar se Kosova duhet ta ndjekë kursin e saj euroatlantik dhe t’i përmbush obligimet e marra, duke zbatuar pa vonesë planin franko-gjerman.
“Kosova në vazhdimësi ka dëshmuar se është pro vlerave perëndimore dhe euroatlantike dhe gjithnjë konstruktive në qasjen e saj për të arritur një marrëveshje përfundimtare për njohje të ndërsjellë me Serbinë”.
“Serbia nga ana tjetër në vazhdimësi ka sabotuar përpjekjet për një marrëveshje të qëndrueshme paqeje midis dy vendeve duke synuar ta rikthejë kohën e konfliktit. Nuk ka asnjë dyshim se këtë kurs po e ndjek edhe sot. Kosova në një situatë të tillë, pa e pasur nevojën të dëshmojë sa e keqe është Serbia, duhet ta ndjek kursin e saj euroatlantik dhe t’i përmbush obligimet e marra, duke zbatuar pa vonesë planin franko-gjerman”, ka shkruar Haradinaj në “Facebook”.