Haradinaj kërkon nga partitë politike të bëhen bashkë për mbrojtjen e territorit
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, është shprehur optimist në lidhje me seancën e nesërme të Kuvendi të Kosovës, ku do të diskutohet për dialogun me Serbinë.
Haradinaj ka thënë se beson për gjetjen e një gjuhe të përbashkët të spektrit politik për çështjen e dialogut. “Është inkurajues fakti që do të merr pjesë edhe pozita në një seancë që është e thirrur nga opozita”, ka thënë ai.
Në këtë kontekst, ai ka thënë se shembulli i mirë i unitetit politik ishte ai për kalimin e tri projektligjeve për transformimin e FSK-në. “Do t’i ruajmë bashkë interesat nacionale”, ka thënë Haradinaj në një konferencë për medie pas mbledhjes së Qeverisë.
Më tutje, Haradinaj ka vlerësuar se vizita e diplomatit amerikan Matthew Palmer dhe takimet e fundit kanë bërë që të këtë një reflektim pozitiv.
“Ne kemi një pozicion të qartë në mbrojtje të kushtetutshmërisë, të territorit dhe të kufijve. Besoj se edhe AAK-ja edhe PDK-ja edhe Nisma si dhe partitë tjera nuk e kanë problem të mbrojnë territorin”, ka thënë Haradinaj.
/Epoka e re/