Haradinaj kërkon përfshirjen e ShBA-ve në dialogun me Serbinë
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, gjatë vizitës zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ka qëndruar në Senatin Amerikan, ku ka takuar senatoren amerikane nga shteti i Iowa-s, Joni Ernst.
Në këtë takim kryeministri Haradinaj ka biseduar për aktualitetin politik në Kosovë dhe për bashkëpunimin ndërmjet dy vendeve.
Fillimisht, kryeministri Haradinaj e ka falënderuar denatoren Ernst për mbështetjen e parezervë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe në veçanti të shtetit të Iowa-s dhënë Kosovës, në të gjitha periudhat e shtetndërtimit, të zhvillimin ekonomik dhe demokratik të vendit.
Kryeministri Haradinaj e ka njoftuar senatoren Ernst për progresin e Kosovës, prioritetet e Qeverisë, për sundimin e rendit dhe ligjit, për hapat e ndërmarrë nga Qeveria e Kosovës në krijimin e një klime të favorshme për zhvillimin e biznesit, për përmbushjen e Agjendës së Konsolidimit ndërkombëtarë të vendit dhe reformave të gjithanshme në funksion të përmirësimit dhe të rritjes së mirëqenies sociale për qytetarët e Kosovës.
“Marrëdhënia bilaterale që Kosova e ka me shtetin e Iowa-s, është dëshmia më e mirë e miqësisë së përjetshme që Kosova e ka me ShBA-të. Jemi falënderues për përkrahjen që kemi nga populli dhe institucionet amerikane. Ky raport duhet të intensifikohet me bashkëpunimin bilateral në fushën e arsimit dhe ekonomisë”, ka thënë kryeministri Haradinaj.
Kryeministri Haradinaj me këtë rast, ka ripërsëritur kërkesën që Shtetet e Bashkuara të Amerikës të jenë të përfshira në dialogun ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë, të lehtësuar nga Bashkimi Evropian, deri në arritjen e një marrëveshje përfundimtare ligjërisht obliguese për të dy vendet, e cila do t’i kontribuonte paqes dhe stabilitetit në rajon.