Haradinaj kërkon që Kosova të ndihmohet përmes investitorëve të rinj
“Ky vit është viti i ekonomisë. Qeveria e vendit do të jetë partnere e bizneseve në zhvillimin e tyre dhe në këtë drejtim na duhet ndihma e të gjithëve”, kështu ka thënë kryeministri Ramush Haradinaj pas takimit që pati me ministrin e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, Beqaj.
Haradinaj ka theksuar se me Beqajn ka biseduar për mundësinë që do t’iu japin investitorëve të rinj.
Me këtë rast, ai ka inkurajuar që të ndihmohet Kosova për të arritur rezultatet përmes këtyre bizneseve të reja, që të fitohen brende të tjera.
“Ne i kemi disa brende shumë të mira në sport, pra, kemi arritur nivelet botërore dhe shpresoj se edhe me disa kompani, që kanë arritur tregjet botërore, të ecim përpara”, ka thënë Haradinaj.
Ai ka theksuar se Kosova eksporton shërbime të këtyre bizneseve inovative, digjitale në vlerë rreth 30 milionë euro, duke qenë kështu i vetmi sektor, ku bilanci është pozitiv.
Ndërsa, ministri i Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, Besim Beqaj, është shprehur i kënaqur me vizitën e sotme të kryeministrit Haradinaj, duke thënë se me shefin e Qeverisë ka biseduar për vitin ekonomik të shpallur nga vetë kryeministri.