Haradinaj kërkon që të hënën të mbyllet marrëveshja me Serbinë
Ish-kryeministri Ramush Haradinaj, ka thënë se Kosova me pranimin e planit franko-gjerman i ndal qëllimet ruse në Ballkan për destabilizim.
Ai ka thënë se për këtë të hënën kur është edhe takimi i nivelit të lartë në mes të kryeministrit të Kosovës, Albin Kuti dhe presidentit serb, Aleksandër Vuçiq duhet të mbyllet marrëveshja.
“I vetmi vend në botë që s’i konvenon marrëveshja është Rusia. Ata kanë dëshirë që kjo çështje të mbetet e hapur, qoftë për destabilizim, qoftë për ta përdorur si shembull. Të hënën mundet me e mbyllë marrëveshjen, jo vetëm me dhënë sinjale pozitive”, ka thënë Haradinaj në Kuvendin e Kosovës.
Haradinaj ka thënë se përpos aspektit të sigurisë dhe mbrojtjes, Kosova duhet ta fusë në marrëveshje edhe komponentën financiare në mënyrë që të ndalen rrjedhjet buxhetore në veri të vendit.
“Përveç zotimeve politike dhe të sigurisë që Kosova merr në marrëveshje është me rëndësi trajtimi serioz i pakos financiare”, ka thënë Haradinaj.