Haradinaj kërkon që të ulet çmimi i naftës
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka reaguar ndaj rritjes së çmimit të naftës në Kosovë.
Ai ka thënë se ky është dëmtim financiar i padrejtë i qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe është i patolerueshëm.
Postimi i plotë i tij në llogarinë e vet në “Facebook”:
Dëmtimi i padrejtë financiar i qytetarëve të Republikës së Kosovës është i patolerueshëm. Kjo po ndodhë nga kompanitë që importojnë dhe shesin naftë në Kosovë.
Çmimi i naftës në tregun botëror dhe rajonal është më i ulët aktualisht, derisa në tregun kosovar, operatorët nuk kanë reflektuar.
U bëj thirrje Autoritetit Kosovar të Konkurrencës, Ministrisë së Tregtisë, Shoqatës e Naftëtarëve dhe të gjithë mekanizmat e tjerë që të ndërmarrin hapat e nevojshëm për ta ndryshuar këtë praktikë të keqe që dëmton qytetarët tanë.
Çmimi i naftës duhet të jetë konform çmimit të tregut! Është e kuptueshme që tregu i lirë funksionon i pavarur, por kjo nuk nënkupton, në asnjë formë, dëmtimin e qëllimshëm të buxhetit të familjeve kosovare!