Haradinaj kërkon që t’i kushtohet vëmendje testit PISA
05 janar 2018
| 11:09
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se top prioritet i Qeverisë do të jet ë ngritja e cilësisë në arsim.
Në këtë kontekst, ai ka kërkuar nga bartësit e institucioneve që t’i kushtohet vëmendje testit PISA.
“Këtë vit, e kemi si dialog të vazhdueshëm, ngritjen e cilësisë në arsim, si top-prioritet i Qeverisë dhe do ta trajtojmë pandërprerë, deri në jetësim të këtij synimi. Kam kërkuar nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MAShT), nga kryetarët e komunave dhe të gjithë ata që janë të përfshirë në këtë proces, që t’i kushtohet vëmendje e shtuar testit PISA, që pritet të mbahet në fund të prillit. Kjo do të jetë sfida jonë e parë. Themelet solide të ardhmërisë sonë vendosen vetëm përmes aftësimit dhe edukimit të të rinjve tanë dhe ky është misioni im”, ka shkruar Haradinaj në llogarinë e vet në “Facebook”.