Haradinaj kërkon rinumërim të plotë të votave
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj ka kërkuar rinumërim të plotë të votave të zgjedhjeve të 14 shkurtit.
Haradinaj pas mbledhjes së Kryesisë së kësaj partie, ka thënë se kriminelët e votës duhet të përfundojnë në burg.
“Ishte një takim me nënkryetarët e AAK-së, sekretarët, deputetët dhe kryetarët e komunave. Biseduam për procesin zgjedhor dhe ndërtimin e institucioneve. I falënderojmë qytetarët që mundësuan që zgjedhjet të jenë të lira dhe demokratike. Edhe ne jemi të shqetësuar me keqpërdorimet që kanë ndodhur në disa raste nga disa komisionarë ose vëzhgues të pandërgjegjshëm dhe kërkojmë nga organet e rendit që kriminelët e votës të përfundojnë në burg të të gjitha partive. Kërkojmë rinumërim të plotë të votave në prezencë të hetuesisë dhe policisë që të gjendet e vërteta”, është shprehur Haradinaj.
Lideri i AAK-së ka thënë se formimi i institucioneve të reja duhet të ndodh sa më shpejt.