Haradinaj kërkon zbardhjen e vrasjes së Ivanoviqit: Nëse ka nevojë e ftojmë edhe FBI-në
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se dënon vrasjen e Oliver Ivanoviqit dhe ka bërë thirrje që kjo vepër makabre të mos përdoret nga askush për agjenda të ndryshme politike nga kushdo qoftë.
Ai këto komente i ka bërë pas takimit të Këshillit Kombëtar të Sigurisë së Kosovës.
Haradinaj tha se Ivanoviq ishte pjesëmarrës në jetën aktive dhe kjo vrasje ka parametra të keqpërdorimit politik, apo më shumë.
“Që nga momenti i marrjes së këtij lajmi, institucionet e vendit kanë kryer detyrat e veta në bazë të ligjit në vendin e ngjarjes. Janë ende në punë. Ne e dënojmë këtë krim dhe çdo tendencë për të shfrytëzuar këtë vepër makabre për agjenda politike nga kushdo qoftë”, ka thënë Haradinaj.
Ai shtoi se nëse ka nevojë, mund të ftohet për të ndihmuar në hetimin e rastit Byroja Federale e Investigimit (FBI).
“Policia e Kosovës ka marrëdhënie të mira me plot organizata, dhe nëse ka nevojë për ndihmesë do ta ftojmë FBI-në”, deklaroi Haradinaj.