Haradinaj komenton aksionin me kravata
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka komentuar aksionin e organizuar me kravata ditë më parë, pasi ai kishte deklaruar se paga e tij e lartë i duhet për garderobë më të mirë.
Në një intervistë për “lajmi.net”, kryeministri Haradinaj komentoj edhe këtë aksion, i cili tha i kishte pëlqyer aksioni që ishte ndërmarr.
“Së pari, te kravatat ke shumë në rregull, shumë korrekt, një aksion simbolik, një porosi, një mospajtim pse e ke rrit pagën, nuk është arsye kravata. Mendoj se ke e mirë, bile disa kravata u dukshin të bukur, por ata i lan në rrethoja nuk i kanë pru këtu. Pagat i kam rrit mendoj për Kosovën, e analizojë Kosovën në 20 vjet”, ka thënë kryeministri.
Haradinaj tha se vendimi për rritjen e pagave, “është një vendim edhe ligjor, edhe transparent, e kam ditur që do të ketë kritika sepse janë mësuar populli me i rrejt politikant, më thënë jemi burra të mirë që sa e kemi rrogën, por mandej senet e tjera me shku si kanë shku”.
E për kravatën që iu propozua kryeministrit nga organizatori Kushtrim Mehmeti, për ta vendosur më 1 Qershor, Haradinaj tha se ajo ishte më shumë për media por thotë se po t’i ishin dërguar atij do t’i kishte pranuar të gjitha dhe ndonjëherë edhe do e kishte vendosur.
Ai thotë se pagat do të rriten edhe për sektorët e tjerë, këto dhe informacione të tjera të rëndësishme nga kryeministri do të mund t’i ndiqni në intervistën e plotë e cila do të publikohet më 1 janar 2018.