Haradinaj komenton shkarkimin e Boltonit: Amerika nuk është për ndarje të Kosovës
Kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj, ka thënë se askush në Shtetet e Bashkuara nuk është pro ndarjes së Kosovës, por sipas tij, nga Ballkani u janë dërguar sugjerime të gabuara.
Ai kështu ka thënë gjatë një konference për medie, duke shtuar se sugjerimet e gabuara nuk janë bërë vetëm nga pala serbe, por edhe nga ajo kosovare.
“Ekzistojnë dy botë: Serbia dhe aleatët e vet që punojnë kundër nesh dhe bota jonë qe e prapësojmë Serbinë në planin e brendshëm. Nuk varemi nga Serbia dhe nuk na duhet animi i Serbisë për asnjë punë të brendshme të Kosovës. E kemi larguar ndarjen e Kosovës dhe çdo aspekt të këtillë të dobësimit të Kosovës”.
“Unë kam respekt për John Bolton – ai ka qenë i përfshirë në plotë tema globale. Sa i përket çështjes së Ballkanit dhe Kosovës, mendoj se në Ballkan kanë ndodhur gabimet dhe jo në Uashington”.
“Sugjerimet i kanë shkuar të gabuara Uashingtonit prej Ballkanit. Kuptohet prej presidentit Vuçiq sepse ai e ka interes shtetëror copëtimin e Kosovës, por janë bërë gabime edhe prej tjerëve”.
“Në kufirin e Kosovës ndahet edhe kufiri mes influencave të Amerikës dhe Rusisë dhe ne jemi vijë e frontit. Jam i bindur se Amerika çdoherë është me Kosovën”, ka thënë Haradinaj.
I pyetur nga “Klan Kosova” se kujt po i referohet kur thotë se ka pasur edhe nga Kosova që i kanë dërguar Uashingtonit mesazhe të gabuara, Haradinaj ka thënë se kemi dëgjuar deklarata nga zyrtarët.
“Nëse krejt po thonë – shyqyr që nuk paskan thanë. Por ne kemi dëgjuar deklarata të plotë zyrtarëve tonë se si nuk na duhet asgjë Veriu. Besoj se këto i dini kush i ka thënë dhe pse i ka thënë”.
“Askush në Amerikë nuk është për ndarje të Kosovës. Amerika ka qëndruar çdoherë me Kosovën, por sugjerimet prej Ballkanit janë dërguar të gabuara”.
“Ne i përcjellim angazhimet e presidentit Trump dhe vërtetë janë inkurajuese. Tani zotit Palmer i është besuar çështja e Ballkanit. Me këtë ata tregojnë se tash janë të gatshëm të merren me këtë temë”.
“Sa i përket taksës 100 për-qind – ajo hiqet me njohje reciproke. Serbia mund ta vazhdojë të fshihet pas taksës, por pasojat nuk do t’i vijnë vetëm Kosovës”, është shprehur Haradinaj.