Haradinaj: Komunat që udhëhiqen nga AAK-ja kanë treguar dinamizëm të lartë në qeverisje
Dinamikat buxhetore në nivel qendror dhe komunal ishin temë e diskutimit të kryetarit të AAK-së, Ramush Haradinaj, me deputetët, kryetarët e komunave dhe me udhëheqjen e partisë.
Haradinaj ka theksuar se AAK-ja po i sheh me shqetësim dështimet e njëpasnjëshme të qeverisë aktuale, veçanërisht në dështimin e tyre që vendit t’i ofrojnë investime kapitale apo pako zhvillimore, që ka shkaktuar situatë të rëndë ekonomike e sociale.
“Me vetëm 7% rritje reale ekonomike, kryesisht falë remitencave, me deficitin tregtar mbi 3 miliardë euro, rritjen enorme të çmimeve, kjo qeveri nuk sjellë asnjë shpresë për ekonominë e vendit dhe mirëqenien e qytetarëve”.
“Në anën tjetër, komunat që udhëhiqen nga AAK, gjatë 100 ditëshit të parë të udhëheqjes, kanë treguar dinamizëm të lartë në qeverisje dhe janë shembull i mirë i qeverisjes në nivel vendi”, ka thënë Haradinaj.
Ai ka thënë se Qeveria e Kosovës sa më parë duhet ta ndryshojë dhe ta përshtat me kushtet e reja makroekonomike, kornizën afatmesme të shpenzimeve dhe të fillojë rishikimin e buxhetit, duke ridestinuar mjetet që nuk do të mund të realizohen, përfshirë dhe për Ligjin e Pagave, e jo të keqpërdoret buxheti për qëllime populiste e elektorale.