Haradinaj: Korrigjimi i kufirit na kthen mbrapa
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, pas mbledhjes së Qeverisë ka folur përsëri rreth idesë së korrigjimit të kufirit në kuadër të marrëveshjes përfundimtare me Serbinë.
Ai ka thënë se korrigjimi i kufirit e kthen Kosovën në të kaluarën.
“Unë mendoj që detyra jonë është që ta mbrojmë Kushtetutën dhe integritetin territorial. Nuk është e drejtë e jona që të flasim për territore pa mandate. Jam i bindur që synimi i një marrëveshje për korrigjim të kufijve është kthim prapa. Marrëveshja më e mirë do të ishte që të jetë paqësore, dhe një e tillë të ndodhë për të gjithë popujt e Ballkanit ngase dihet e kaluara e këtij regjioni”, ka deklaruar Haradinaj në një konferencë për medie.
Haradinaj në këtë konferencë ka folur edhe për Qeverinë e cila ka dy ushtrues detyre të ministrave.
“Ne kemi bërë një lloj konsulte me partnerët. Tash mendojmë që AKR-ja duhet të propozojë një ministër. Kemi shpresuar që ajo të jetë femër. Edhe në MTI shpresoj që Nisma do të dërgojë një propozim”, ka thënë Haradinaj.
/Epoka e re/