Haradinaj: Kosova asnjëherë nuk ka pasur marrëdhënie me të mira me ShBA-në
Kosova asnjëherë nuk ka pasur marrëdhënie më të mira se që ka sot me Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA). Vizita e gjeneralit të Iowa-s, Timothy Orr, është dëshmi e forcimit gjithnjë e më të madh të këtyre raporteve.
Kështu ka deklaruar kryeministri Ramush Haradinaj, në një konferencë për medie pas mbledhjes së Qeverisë.
Ai ka thënë se vizita e gjeneralit nuk është bërë më herët për ndonjë arsye tjetër, e aq më pak për shkak të ndonjë “ngrirje të raporteve”.
“Ne asnjëherë nuk kemi pasur lëkundje në marrëdhëniet me Amerikën. Asnjëherë në histori marrëdhëniet me Amerikën nuk kanë qenë më të mira, në të gjitha fushat. Gjenerali i Iowa-s vërtetë është një mik shumë i mirë i Kosovës, 8 vjet është në shërbim të marrëdhënieve bilaterale”, ka thënë Haradinaj.
Më tutje, Haradinaj ka folur për idenë e serbëve për ndarje të tokave shqiptare, me ç’rast ka thënë se do të varrosen keq politikisht të gjithë ata që i rrinë prapa kësaj ideje.
“Ideja e Vuçiqit, Daçiqit e kushdoqoftë atje, është qe një shekull kah zihet në kuzhinat e tyre. Por ideja për ndryshim të kufijve ka marrë fund. Do të varrosen keq politikisht të gjithë ata që shkojnë drejt idesë për korrigjim të kufirit”, ka deklaruar Haradinaj. /Ksp/