Haradinaj: Kosova, atdhe i të gjithëve
Në Ditën Ndërkombëtare të Emigracionit, kryeministri i vendit Ramush Haradinaj ka bërë thirrje që të gjithë ata që e kanë braktisur vendin si emigrantë, të kthehen si qytetarë dhe të investojnë në atdhe.
“Në memorien e shumë brezave të qytetarëve tanë rëndon pesha e emigrimit, qoftë të nxitur nga arsye ekonomike e sociale, por edhe të përndjekur për arsye politike. Në ditën Ndërkombëtare të Emigracionit, ne i kemi ende të freskëta në kujtesën tonë, pamjet dhe përvojat e gjithsecilit, kur me pak rroba në trup, të pa shpresë dhe të pa ushqyer, kemi mësyrë rrugët pa adresë, të shtyrë nga regjime shtypëse. Sot, i kujtojmë të gjithë ata njerëz, kudo nëpër botë, që na kanë dalë në ndihmë, për të na dhënë strehim në shtëpitë e tyre, dhe një punë në tokën e tyre”, ka shkruar Haradinaj në llogarinë e vet në “Facebook”.
Kryeministri ka theksuar se sot kujtojnë edhe sakrificën për liri të heronjve dhe luftëtarëve tanë që nga emigracioni iu përgjigjen thirrjes së atdheut në përpjekjet për liri e dinjitet.
“Mirënjohës po ashtu vendeve mike për ndihmën e pakursyer, që strehuan në të gjitha kohërat njerëzit tanë. Jemi dëshmitarë, që shteti i Kosovës, që e kemi krijuar me shumë mund dhe me ndihmën e të emigruarve në etapa të ndryshme historike, është atdhe i të gjithëve dhe shtëpi e ngrohtë për të gjithë! Ata që dje kanë braktisur vendin si emigrantë, sot mund t’i shërbejnë më së miri atij si qytetarë, kudo që janë, me investime në atdheun e të parëve”, ka shkruar kryeministri Haradinaj.
/Epoka re/