Haradinaj: Kosova do ta zhvillojë partneritetin strategjik me Gjermaninë
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, ka marrë pjesë të martën në Ditën Gjermane të Bashkëpunimit që është organizuar nga Ambasada Gjermane në Kosovë.
Para të pranishmëve kryeministri Haradinaj ka theksuar se marrëdhëniet bilaterale ndërmjet Kosovës dhe Gjermanisë janë strategjike dhe të veçanta.
“Në kohë të vështira, përkrahja gjermane ishte vendimtare për përpjekjet e paqes dhe shtetndërtimit në Kosovë dhe sot Gjermania vazhdon të jetë përkrahësja më e madhe e Kosovës euroatlantike, e sigurisë dhe stabilitetit të saj”, ka thënë Haradinaj, duke shtuar se Gjermania është donatorja e dytë më e madh në Kosovë, me rol të rëndësishëm në të gjitha aspektet e agjendës zhvillimore si në zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik, administratë publike dhe demokraci.
Ai ka thënë se qytetarët e Kosovës që jetojnë në Gjermani janë vlerë e shtuar e marrëdhënieve Kosovë – Gjermani.
“Me këtë ecje të bashkëpunimit jo vetëm se nuk do të ketë më refugjatë nga Kosova në Gjermani, por edhe shumë prej tyre që sot jetojnë në Gjermani mund të kthehen të investojnë në Kosovë”, është shprehur Haradinaj. Duke folur për asistencën financiare të Gjermanisë në Kosovë, kryeministri ka pohuar se kjo nuk është vetëm monetare, por edhe ekspertiza dhe këshillat nga Gjermania janë të vlefshme për Kosovën dhe qytetarët e saj.
Me këtë rast, kryeministri Haradinaj ka theksuar se është impresionuar me vizitën që i ka bërë Gjimnazit “Loyola” në Prizren, ku ka parë organizimin e kualitetin e arsimit.
Në këtë kontekst ai ka shtuar se Qeveria e Kosovës do ta përkrahë Shkollën e Lartë Profesionale gjermane në Prizren, e cila do të jetë e vendosur në kompleksin aktual të KFOR-it gjerman. “Kosova do ta nderojë partneritetin strategjik me Gjermaninë, me punë të përgjegjshme, për ta bërë ndryshimin pozitiv për të ardhmen e Kosovës”, ka thënë kryeministri Haradinaj.
Ndërkaq ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Christian Heldt, ka thënë se Gjermania dhe Kosova mund të jenë krenare për marrëdhënien e tyre të gjatë, miqësore dhe të suksesshme.