Haradinaj: Kosova duhet të ecën përpara në rend e ligj
Kryeministri Ramush Haradinaj ka thënë se Kosova është konsistente dhe e pakompromis në fuqizimin e shtetit ligjor, si e vetmja rrugë që garanton zhvillimin e vendit.
Këtë deklaratë kryeministri e dha sot në takimin e nivelit të lartë të sundimit të ligjit, me akterët e fushës relevante dhe partnerët ndërkombëtarë, ku shqyrtuan mundësitë e rritjes së efikasitetit në pastrimin e lëndëve gjyqësore të kategorisë së rasteve të shënjestruara, kryesisht korrupsion e krim i organizuar, dhe atyre të grumbulluara.
Haradinaj ka bërë me dije se në këtë takim ka kërkuar që të hartohet një plan menaxherial për trajtimin në kohë optimale të këtyre rasteve.
“Si Qeveri, tashmë kemi krijuar kushte të dinjitetshme, buxhet të shtuar dhe rroga të mira, në kuadër të mandatit ligjor, për gjyqtarët dhe prokurorët e Kosovës dhe jemi jetësisht të interesuar që të ecim përpara në rend e ligj. Bartësit e institucioneve të Prokurorisë dhe Gjyqësorit u zotuan se për 90 ditët e ardhshme do të rrisin kapacitetet dhe efikasitetin për procedimin e këtyre lëndëve. Së bashku mbesim të përkushtuar për sundimin e ligjit, si dhe sistem transparent e llogaridhënës”, ka thënë Haradinaj.
/Epoka e re/