Haradinaj: Kosova duhet të ketë qasje të qëndrueshme në të bërit biznes 

12 nëntor 2018 | 12:17

“Kuvendi i Kosovës është tempulli më i lartë i vendimmarrjes, vendi ku normohet të bërit biznes. Norma buron nga këtu, deputetët, të zgjedhurit vendosin për rregullat dhe shumë parametra të asaj se si bëhet biznes në vendin tonë”, kështu  ka deklaruar kryeministri Ramush Haradinaj në hapjen e Javës Globale të Ndërmarrësisë e cila u mbajt në Kuvendin e Kosovës.

Duke falënderuar deputetët për angazhimin e tyre, kryeministri Haradinaj ka thënë se sot Kosova ka ligje të avancuara të të bërit biznes dhe garojmë me vendet lidere në të bërit biznes në ndërmarrësi.

Por, kryeministri Haradinaj përmendi energjinë si hendikep e cila pamundëson të bërit biznes.

“Jemi në pozicion të vështirë. Bizneset në Kosovë humbin mbi 300 milionë euro në vit për shkak të gjendjes në energji. Për më shumë se një dekadë na kanë mbajtur peng dhe na janë vonuar investimet në energji. Por, fatmirësisht një projekt për energji dhe furnizim të qëndrueshëm në energji ende është opsional dhe mendoj se në Kosovë do të kemi investimin më të madh që kemi pasur në energji, me 1.3 miliard dollarë nga investitori amerikanë”, ka deklaruar Haradinaj.

Me këtë rast, kryeministri Haradinaj ka thënë se janë të interesuar që të ketë stabilitet në energji dhe se për Kosovën është e paarritshme stabiliteti energjetik vetëm me energji të ripërtëritshme.

Problem tjetër, kryeministri Haradinaj ka përmendur edhe rendin dhe ligjin, apo barrierat burokratike, korrupsionin dhe mungesën e konkurrencës së duhur.

“Në shumicën e rasteve dihet se ka pasur vështirësi që të bazohet vetëm në kualitetin e ofertës, por është dashur edhe kualitete tjera. Duhet të shkojmë nga një qasje më e qëndrueshme, ku kualiteti i ofertës fiton”, ka thënë kryeministri Haradinaj, duke theksuar se nëse të gjithë shkojnë në këtë drejtim, sektori publik, privat, sipërmarrësit, ekspertët, atëherë rritet gara jo vetëm brenda ekonomisë sonë, por edhe më gjerë.

Kryeministri Haradinaj ka folur edhe për heqjen e taksave nga makineritë, lëndën e parë dhe pajisjet teknologjike informative, duke siguruar ndërmarrësit se si Kosovë të gjitha projektet e nisura të sipërmarrësve do t’i bashkojnë, një Park Inovativ Trajnues në Prizren, një Zonë Ekonomike Amerikane në Gjakovë që është në nisje dhe shumë ide tjera të të bërit biznes.

Drejtori ekzekutiv i Qendrës së Inovacionit të Kosovës (ICK),  Uranik Begu, ka thënë se këtë vit me një numër rekord të aktiviteteve mbi 60 sosh po niset kjo javë në institucionin më të lartë vendimmarrës në Kuvendin e Kosovës.

“Ekonomia dhe prosperitet ynë varen nga shumë faktorë, mirëpo lartë në listë qëndron mundësia e ndërmarrësve, inovatorëve për të zhvilluar idetë e tyre në ndërmarrje të qëndrueshme”, ka theksuar Begu, duke shtuar se janë krenarë për ata ndërmarrës që kontribuojnë në ndërtimin e një ekonomie të diversifikuar dhe inovative, idetë e të cilëve jo vetëm se krijojnë vende të reja të punës, por mbi të gjitha rritin prosperitetin dhe inkurajojnë gjeneratat e reja që të jenë të guximshëm dhe të krijojnë perspektivë në vendin e tyre.

Para të pranishmeve kanë folur edhe Colleen Hyland e ngarkuar me punë në Ambasadën e ShBA-ve në Kosovë dhe Arian Zeka drejtor i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë.

/Epoka e re/ 

 

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Demokratët kanë rritur presionin ndaj ushtruesit të detyrës së Prokurorit…