Haradinaj: Kosova e palëkundur në rrugën e saj drejt NATO-s dhe BE-së
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, gjatë qëndrimit zyrtar në Mbretërinë e Bashkuar, ka zhvilluar një takim bilateral me ministrin e Shtetit për Forca të Armatosura të Mbretërisë së Bashkuar, Mark Lancaster, të cilin e informuar për zhvillimet e përgjithshme politike dhe të sigurisë në vend, duke kërkuar mbështetjen e Mbretërisë së Bashkuar për Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe procesin e tranzicionit në Forca të Armatosura të Kosovës.
“Mbretëria e Bashkuar ka luajtur rol të jashtëzakonshëm për Kosovën dhe ka qenë një ndër mbështetëset kryesore të progresit të arritur deri më tani. Falënderojmë gjithë gratë dhe burrat e Mbretërisë së Bashkuar që kanë shërbyer në Kosovë. Kosova është mirënjohëse dhe është aleat i juaji”, ka deklaruar Haradinaj, duke theksuar nevojën e bashkëpunimit dhe përkrahjen e vazhdueshme të Mbretërisë së Bashkuar në forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar për Kosovën.
Duke konsideruar se FSK-ja është forcë e cila i kontribuon paqes dhe stabilitetit në rajon dhe më gjerë, Haradinaj në takim me ministrin Lancaster, ka shqyrtuar mundësitë e pjesëmarrjes së FSK-së në operacionet paqeruajtëse në kuadër të trupave ushtarake britanike.
Gjatë takimit, kryeministri Haradinaj ka theksuar synimin e Kosovës që sa më shpejtë të jetë pjesë e Aleancës Veriatlantike dhe mekanizmave tjerë të sigurisë, duke thënë se për këtë është duke u punuar ngushtë me aleatët tanë.
“Marrëdhëniet bilaterale mes dy vendeve tona do të thellohen edhe më tepër. Ju sigurojë se Kosova mbetet e palëkundur në rrugën e saj drejt anëtarësimit të plotë në NATO dhe BE”, ka thënë Haradinaj.
Kurse ministri i Shtetit për Forca të Armatosura të Mbretërisë së Bashkuar, Mark Lancaster, ka vlerësuar se Mbretëria e Bashkuar do të vazhdoj të mbështesë Kosovën në rrugën e saj euroatlantike.
/Epoka e re/