Haradinaj: Kosova, edhe pse vend i vogël ka potenciale të mëdha për zhvillimin e bujqësisë e blegtorisë
Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka vizituar Gëzim Hajdarin nga Novolani i Vushtrrisë, për të cilin thotë se është bërë një fermer i suksesshëm pa ndihmën e askujt.
“Ai sot në fermën e tij, ka dhjetëra krerë buallica, të cilat në territorin e Kosovës pothuajse janë në zhdukje. Përveç që rritjen e mbarështimin e tyre e ka shndërruar në një biznes të suksesshëm, me të cilin e siguron jetesën e familjes së vet, ai e ruan edhe një trashëgimi nga stërgjyshërit. Gëzimi është shembull i një njeriu që nuk është dorëzuar para vështirësive, por ka mijëra të tjerë, të cilët në mungesë të një mbështetjeje nga shteti, e kanë pasur të pamundur që të merren me këtë veprimtari”, ka thënë Haradinaj.
Ai ka shtuar se Kosova, edhe pse vend i vogël ka potenciale të mëdha për zhvillimin e bujqësisë e blegtorisë, por mungesa e vizionit dhe politikave shtetërore për zhvillimin e këtij sektori, e ka lënë në fundin e listës.