Haradinaj: Kosova është adresa e duhur për investitorët e huaj
Kosova është adresa e duhur për investitorët e huaj. Qeveria ka punuar në vazhdimësi që të krijojë kushtet më të mira për investimet direkte. Tani me ligjin e ri dhe me progresin e bërë në shumë fusha, është krijuar klimë e mirë për partneritet të suksesshëm dhe të qëndrueshëm ekonomik me investitorët serioz.
Kështu ka thënë kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, pas takimit me përfaqësuesit e kompanisë “Rockaway Capital” të kryesuar nga Jakub Havrlant.
Haradinaj ka përmendur progresin e arritur në Kosovë në fushën ekonomike, në fushën e sundimit të rendit dhe ligjit, duke shtuar se Kosova ofron resurse të shumta njerëzore dhe infrastrukturore për të pranuar investime të huaja, veçmas në fushën e teknologjisë, telekomunikacionit, turizmit dhe fusha të tjera.
“Kosova ofron shumë dhe ne si Qeveri po punojmë që të krijojmë kushtet sa më të mira për investimet e huaja. Shembull i mirë i një storie suksesi është edhe projekti Gjirafa, themeluar nga investimi direkt i ‘Rockaway Capital’ dhe Kosova ka nevojë dhe ka çka ofron edhe për storie të tjera suksesi”, ka thënë Haradinaj.
Ndërsa përfaqësuesi i “Rockaway Capital”, Jakub Havrlant, ka shprehur interesimin e kompanisë së tij për të zgjeruar investimet në Kosovë, kjo shkas i suksesit të arritur deri tash me projektet aktuale, duke thënë se Kosova ofron shumë, veçmas në fushën e teknologjisë, turizmit, marketingut dhe telekomunikacionit.
/Epoka e re/