Haradinaj: Kosova është e hapur për investime të huaja
Në Forumin Ekonomik të Vjenës, që po mbahet në Sofje të Bullgarisë, kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se vendi ynë është e hapur për investime të huaja direkte dhe se tregu është tejet i përshtatshëm për t’i pritur këto investime.
“Kosova është një vend i vogël, me vetëm 2 milionë banorë dhe ne jemi ndër vendet e rralla që kemi shpenzuar paratë nga buxheti ynë për të realizuar projekte të mëdha infrastrukturore. Tani është koha që të kemi investime të reja në shumë fusha, veçmas në miniera dhe telekom. Ne jemi të hapur për të gjithë investitorët dhe ky forum është mundësi e mirë për t’i ndarë këto mundësi”, ka thënë Haradinaj në fjalën e tij hyrëse para panelit të përbërë prej kryeministrave të vendeve të Ballkanit dhe Bullgarisë.
Haradinaj ka paraqitur interesimin e Kosovës për projekte nga fusha e infrastrukturës, me theks të veçantë investimet e huaja, tregtinë, digjitalizimin dhe mobilitetin, që janë edhe temë e këtij forumi, duke shpalosur të arriturat e deritashme në fushën infrastrukturore dhe faktin që vendi në bashkëpunim me EBRD dhe EIB, është duke planifikuar projekte të cilat e lidhin akoma më shumë me vendet e Ballkanit Perëndimor dhe me vendet Evropiane.
“Aktualisht Kosova ka përfunduar 65 për qind të rrugës që e lidhin Prishtinën me Shkupin, kemi nisur rrugën që lidhë Prishtinën me periferinë dhe që e njëjta do të vazhdojë edhe drejt kufirit me Merdare, me Shqipërinë është përfunduar tashmë, derisa deri në vitin 2022 të gjitha rrugët dytësore dhe regjionale në vend do të kenë qasje në Auto rrugët që lidhin Kosovën me Maqedoninë, Serbinë, Shqipërinë dhe Malin e Zi, derisa po punojmë për të nisur projektet hekurudhore që lidhin Kosovën me Serbinë”, ka thënë Haradinaj.
Më tutje, Haradinaj ka thënë se vendet e Ballkanit duhet më shumë të flasin me njëri-tjetrin, sesa të flasin për njëri-tjetrin.
“Në Samitin e Sofjes u përmend që procesi për njërin nga ne, do të thotë proces për shumë prej nesh. Kosova është e hapur për investime të reja. Ne mirëpresim investime në telekom, në fushën e minierave dhe po presim nga ju që të shprehni interesim. Një përshëndetje e veçantë për Kryeministrin e Bullgarisë Boyko Borissov që ka kryesuar Presidencën e Evropës dhe që në këtë kohë, vendet e Ballkanit ishin më shumë prezent në agjendën evropiane. Në Kosovë kemi nevojë për të gjithë, kemi nevojë për njerëzit që marrin vendime dhe që ndikojnë në marrjen e këtyre vendimeve”, ka thënë Haradinaj.
Gjatë këtij forumi, kryeministri Haradinaj ka thënë se Kosova me të gjitha kapacitetet mbështet vazhdimin e negociatave të Shqipërisë për anëtarësim në BE dhe se çdo pengesë në këtë drejtim është humbje edhe për regjionin por edhe për Evropën.
Pjesë e forumit ekonomik të Vjenës, përveç Kosovës ishin shtetet si Shqipëria, Maqedonia, Mali i Zi, Bosnja dhe Hercegovina dhe Serbia, derisa Forumi u mbajt nën kryesimin e kryeministrit të Bullgarisë, Boyko Borissov, vendi i të cilit kryeson me Presidencën BE-së.
Kosova po përfaqësohet nga kryeministri Ramush Haradinaj, derisa pjesë e delegacionit janë edhe zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha dhe ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Albena Reshitaj.
/Epoka e re/