Haradinaj: Kosova është fuqimisht e vendosur për anëtarësim në BE
Kryeministri Ramush Haradinaj në takim pune me shefat e misioneve të shteteve anëtare të BE-së dhe shefen e BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova në Kosovë, ka diskutuar për të arriturat dhe sfidat e Kosovës në rrugën europiane.
“Republika e Kosovës është fuqimisht e vendosur për anëtarësimin në BE si prioritet i lartë i saj, gjersa vazhdon të punojë pandërprerë për të arritur zbatimin e plotë të MSA-së, dhe të respektojë obligimet e kontratës sonë të përbashkët”, ka thënë Haradinaj.
Ai ka shtuar se Qeveria është angazhuar plotësisht në përmbushjen e agjendës europiane, duke ndërmarrë me këmbëngulje reforma të gjithanshme, sidomos për fuqizimin e sundimit të ligjit.
“Për të ecur përpara dhe që të sigurohet paqja afatgjatë dhe e ardhmja europiane për të dy shtetet, jemi të interesuar të arrihet marrëveshja përfundimtare ligjërisht e obligueshme midis Kosovës dhe Serbisë, që rezulton me njohje reciproke”.
“Një sinjal i qartë nga BE, se respektohen arritjet tona dhe se kemi mbështetjen e saj në mënyrë aktive është realizimi në kohë optimale e lëvizjës së lirë për qytetarët e Kosovës”, ka deklaruar Haradinaj.
/Epoka e re/