Haradinaj: Kosova ka arritur në një nivel të ri të marrëdhënieve me Gjermaninë
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka mbajtur një konferencë për medie pas kthimit nga vizita zyrtare në Berlin, ku dje ka zhvilluar një takim me kancelaren e Gjermanisë, Angela Merkel.
Në këtë konferencë, Haradinaj ka shpalosur disa nga detajet e takimit me Merkelin, duke thënë se Kosova ka arritur një nivel të ri të raporteve me shtetin gjerman.
“Ka qenë një vizitë pune në Gjermani, jam takuar edhe me kancelaren gjermane, Angela Merkel, dhe me deputetë të dy krahëve dhe kam pasur biseda me ta. Ne ju kemi dhënë shtytje proceseve të liberalizimit të vizave. Kosova ka arritur në një nivel të ri të marrëdhënieve bilaterale me Gjermaninë në të gjitha temat. Njëkohësisht në këto takime është konfirmuar serioziteti i Kosovës në punët e shtëpisë, si dhe është konfirmuar serioziteti i palës në agjendën integruese në Evropë, si dhe është konfirmuar serioziteti për dialog”, është shprehur Haradinaj.
Më tutje, Haradinaj ka folur edhe për idenë e korrigjimit të kufirit me Serbinë. Ai ka thënë se një ide e tillë është mbyllur në Samitin e Berlinit, që është mbajtur para një muaji.
“Sa i përket dialogut kemi dëshmuar seriozitet. Samiti i Berlinit e ka mbyllur idenë për korrigjimin e kufijve, dhe nuk ka pasur më diskutime rreth kësaj. Është në interes vazhdimi i dialogut dhe arritja e një marrëveshje. Ju siguroj që askush nuk mund të drejtojë gishtin kah Kosova sepse do të jetë serioze në Samitin e Parisit”, ka thënë Haradinaj.
I pyetur nga gazetarët se a ka qenë në dijeni se presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, do të jetë prezent në forumin ndërkombëtar “GlobSec” që është duke u zhvilluar në Bratislavë, Haradinaj ka thënë se nuk ka pasur informacione që Kosova do të jetë pjesëmarrëse në këtë forum.