Haradinaj: Kosova ka krijuar infrastrukturë ligjore për t’i transferuar prodhimet në tregjet e huaja
“Si Qeveri jemi të gatshëm që të bashkëveprojmë, që prodhimet tona të Kosovës, të arriturat e prodhuesve tanë, pra të industrisë së veshmbathjes t’i plasojmë dhe jo vetëm kaq, jemi të interesuar që të sjellim investitorë për ju”, kështu ka thënë kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, në hapjen e edicionit të dytë të Konventës së Veshmbathjeve të Kosovës.
Me këtë rast, kryeministri Haradinaj ka thënë se me brendet e Kosovës që po paraqiten me dizajnet e krijuara nga studentët dhe që lidhen me veshmbathjet po krijohet një qëndrueshmëri ekonomike çdo ditë e më tepër.
Për këtë event kryeministri ka falënderuar Ambasadën e Amerikës, USAID-in, por edhe të gjithë ata, të cilët kanë shprehur një kujdes dhe përkrahje për të ndihmuar prodhuesit e veshmbathjes në Kosovë.
“Eksporti i Kosovës, sipas Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë 2016-2018 është diku 20.5 milionë euro, ndërsa importi në periudhën e njëjtë kohore në produktet e njëjta, është 228.6 milionë euro”, ka theksuar ai, duke shtuar se vlera e një produkti të veshmbathjes kur e eksportojmë, vlera e tij është afër 4 euro, ndërsa e atij që e importojmë,është 7.5 euro, që nënkupton gati dyfishin.
Kryeministri Haradinaj ka thënë se duke e parë që eksporti është më i vogël dhe çmimi i veshmbathjes në import është dyfish më i lartë, atëherë duhet përkrahur prodhuesit me brendet e reja që po i paraqesin edhe me fondet që ua kemi alokuar Ministrisë së Inovacionit.
Duke parë që kjo industri mund të jetë e rëndësishme dhe mund të japë rezultatet e veta kryeministri Haradinaj ka deklaruar se duhet pasur kujdes edhe në shkollimin profesional që aftësitë krijuese të studentëve të lidhen me prodhuesit dhe të kenë cilësinë e duhur që të bëhen konkurruese në treg.
“Kosova ka krijuar infrastrukturë ligjore për t’i transferuar prodhimet nga tregjet dhe nuk ka nevojë që partnerët të cilët do të kishin mundur që të investojnë me ju, të shkojnë shumë larg, por mund të investojnë në Kosovë”, ka theksuar Haradinaj, duke shtuar se mundësitë janë afatgjata me krijimin e zonave ekonomike, ku njëra ndër to është edhe Zona Ekonomike Amerikane.
Kryeministri Haradinaj ka sqaruar se ata të cilët investojnë në Kosovë, taksën në dividentë e kanë zero; tatimi në fitim është 10 për qind, më i vogli në regjion; tatimi në paga nuk shkon mbi 10 për qind; është taksë zero me shtetet e EU-së; transporti është më i liri i mundshëm dhe, nga e gjithë kjo është e sigurt që nga një produkt që prodhohet në Kosovë, do të mund të dalë dhe hyjë në treg të BE-së 30 deri në 40 për qind më lirë se një produkt i prodhuar diku tjetër në Evropë.
Konventa e Veshmbathjeve të Kosovës organizohet çdo vit për t’i promovuar prodhuesit e veshmbathjeve të Kosovës dhe për ta mbështetur rritjen e industrisë së veshmbathjeve në Kosovë.
/Epoka e re/