Haradinaj: Kosova ka ushtrinë më të re sipas modelit të NATO-s
Kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj, ka thënë se të premten në rreshtin e paqes të Ushtrisë së Kosovës, kanë hyrë 337 ushtarë të rinj.
Haradinaj ka thënë se Kosova ka ushtrinë më të re sipas modelit të NATO-s, e cila është e përkushtuar për sigurinë në vend, stabilitetin në rajon dhe e gatshme për operacione paqeruajtëse kudo në botë.
“Sot në rreshtin e paqes të Ushtrisë së Kosovës, kanë hyrë 337 ushtarë të rinj, pas mbarimit me sukses të trajnimit themelor në Komandën e Doktrinës dhe Stërvitjes. Kosova ka ushtrinë më të re sipas modelit të NATO-s, të përkushtuar për sigurinë në vend, stabilitetin në rajon dhe të gatshme për operacione paqeruajtëse kudo në botë, kurdo që kërkohet nga aleatët tanë strategjik, ShBA dhe strukturat e paktit Veri-Atlantik. Ushtarët e Kosovës gjithmonë me nder në shërbim të paqes, për të sotmen dhe të ardhmen e sigurt. Urime!”, ka shkruar Haradinaj në llogarinë e vet në “Facebook”.
/Epoka e re/