Haradinaj: Kosova ka vendosur partneritet strategjik me ShBA-në
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka pritur në takim një delegacion të drejtuesve dhe profesorëve nga “James Madison University” dhe “Mercer University” .
Në këtë takim, Haradinaj ka thënë se Kosova ka pasur fat që në rrugëtimin e saj historike ka vendosur partneritet strategjik me ShBA-në.
“Mbështetja në shkollimin e të rinjve tanë është një nga fushat kyçe që Qeveria e vendit është e përkushtuar ta vazhdojë këtë bashkëpunim. Në këtë frymë, sot pata kënaqësinë të pres në takim, një delegacion të drejtuesve dhe profesorëve nga James Madison University dhe Mercer University, të cilët po qëndrojnë në vend për konferencën dyditore ‘Nga paqja në prosperitet- transformimi i shoqërisë kosovare përmes lidershipit të mirë” organizuar nga Fondacioni për lidership, mbështetur nga Ministria e Arsimit, Oda Ekonomike e Kosovës dhe Oda Ekonomike Amerikane”.
“Kisha kënaqësinë që t’i falënderoja profesorët e këtyre universiteteve të njohura për organizimin e kësaj konference që ka për qëllim ngritjen e njohurive të lidershipit dhe menaxhmentit si dhe zhvillimi i mëtejshëm të shkathtësive. Shpreha vullnetin dhe gatishmërinë, që kjo eksperiencë të shndërrohet në rrugë afatgjate të bashkëpunimit, duke ua mundësuar fëmijëve tanë, shkollimin cilësorë dhe praktikat më të avancuara të lidershipit”, ka shkruar Haradinaj në llogarinë e vet në “Facebook”.
/Epoka e re/