Haradinaj: Kosova kërkon drejtësi për krimet makabre që kanë ndodhë
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, ka marrë pjesë në akademinë përkujtimore për të kujtuar 147 shqiptarët e vrarë nga forcat serbe në Izbicë në 20- vjetorin e vrasjes së tyre.
Para të pranishmëve të shumtë, përfaqësues të institucioneve qendrore e lokale, bashkëluftëtarë, e familjarë të të vrarëve të kësaj masakre, kryeministri Haradinaj ka thënë se edhe kjo ditë e sotme është një prej atyre ditëve të dhimbshme dhe sipas tij, për fat të keq kemi shumë këso ditësh.
“Edhe familjarët e Izbicës, masakrës më makabre që ka ndodhë në Kosovë, ku është vrarë edhe fëmija pa i mbushur një vjet, të moshuarit, të të dy gjinive, pa qenë asnjëri luftëtar ose pjesëtar, por të gjithë kanë qenë qytetarë të pambrojtur, do ta kishin më të lehtë sikur kjo të ishte e vetmja, sikur kjo dhimbje të ishte vetëm e juaja, por jemi dëshmitarë që kjo dhimbje është në gjithë atdheun tonë”, ka theksuar ai.
Kryeministri Haradinaj, duke përmendur masakrat në qytete e fshatra të shumtë të vendit, ka thënë se është një ngecje dhe punë e ngadalshme e zbardhjes së fatit të të pagjeturve, por edhe mos vendosjes para drejtësisë të autorëve të këtyre krimeve, masakrave, ku vetëm në Dukagjin janë mbi dhjetë të këtilla.
“Prej çdo perspektive, e drejta për Kosovën, e drejta për viktimat e Kosovës, nuk është vendosur dhe, edhe sot e kësaj dite është njëfarë neglizhence e faktorëve relevantë me vendos këtë të drejtë”, është shprehur Haradinaj, duke shtuar se po kërkohet që të vërtetohet edhe njëherë kjo pafajësi, duke mos u vendosur e drejta për viktimat, kur dihet që kemi edhe gra të dhunuara.
Kryeministri Haradinaj ka thënë se ka një dakordim ndërinstitucional që të avancohet baza ligjore dhe statusi ligjor edhe i familjeve të martirëve, por edhe i atyre të të pagjeturve, duke qenë në komunikim më shoqatat e dala nga lufta, edhe të statusit ligjor të veteranëve, invalidëve, familjeve të dëshmorëve.
“I tërë ky avancim i statusit ligjor, prapë nuk e zëvendëson asnjëherë jo vetëm dhimbjen, por edhe ndjenjën e gjithë neve se Kosova kërkon drejtësi për këto krime makabre që kanë ndodhë”, ka deklaruar Haradinaj, duke falënderuar të gjithë për nderimet që po i bëjnë martirëve e dëshmorëve në vend.
/Epoka e re/