Haradinaj: Kosova kontribuuese në stabilitetin rajonal dhe global
Në konferencën për sigurinë globale kundër terrorizmit, ekstremizmit të dhunshëm dhe radikalizmit, e cila po mbahet në Tiranë, kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, ka folur rreth rolit konstruktiv dhe kontributit të shtetit tonë në bashkëpunimet rajonale dhe më gjerë, në funksion të krijimit të paqes dhe stabilitetit.
Ai ka thënë se kjo konferencë ndihmon ekipin e kombeve për ta luftuar ekstremizmin e dhunshëm.
Kryeministri Haradinaj, ka thënë se komunitetet fetare dhe udhëheqësit fetarë do të vazhdojnë të jenë një nga partnerët më të rëndësishëm në luftën kundër mesazheve të ekstremizmit dhe radikalizmit të dhunshëm. Ai ka theksuar se do të vazhdohet të punohet ngushtë me udhëheqësit fetarë në forcimin e marrëdhënieve të komuniteteve të ndryshme fetare.
Duke folur rreth sfidave globale dhe hapave të ardhshëm në tejkalimin e tyre, kryeministri Haradinaj ka thënë se Republika e Kosovës ka miratuar Strategjinë për parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm dhe radikalizmit që shpie në terrorizëm si dhe Planin e veprimit, duke qenë pjesë e angazhimeve globale të botës demokratike të prirë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në luftën kundër të gjitha kërcënimeve dhe formave të ekstremizmit dhe terrorizmit.
Më tutje, kryeministri Haradinaj, ka thënë se institucionet e Kosovës janë të vendosura që të parandalojnë çfarëdo përhapje të ideologjive ekstremiste që kanë potencial të kalojnë në terrorizëm, dhe për këtë ka miratuar edhe ligjin që iu ndalon qytetarëve pjesëmarrjen në luftërat e huaja.
Ai ka thënë se ekstremizmi i dhunshëm dhe radikalizmi janë dukuri të cilat nuk e kanë një atdhe, nuk e kanë një lokacion të caktuar, por sipas tij paraqesin rrezik për botën bashkëkohore, për njerëzimin, për paqen dhe sidomos për njerëzit e pafajshëm.
Në fund të fjalës së tij, kryeministri Haradinaj, ka ritheksuar kërkesën që Republika e Kosovës të anëtarësohet në institucionet ndërkombëtare të sigurisë, sidomos në Interpol si dhe mundësinë e bashkëpunimit me Europolin në mënyrë që të jap kontributin e saj.
/Epoka e re/