Haradinaj: Kosova krenare për miqësinë me ShBA-të
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka marrë pjesë në pritjen e organizuar nga Ambasada e Kosovës në Uashington, të organizuar me rastin e dhjetë vjetorit të pavarësisë.
Në pritje morën pjesë edhe presidenti Hashim Thaçi, këshilltari i presidentit të ShBA-ve për siguri kombëtare, Herbert Raymond McMaster, zëvendësndihmëssekretarja amerikane, Laura Cooper, drejtori për Çështjet e Evropës Jug Qendrore, Matthew Palmer, përfaqësues të misioneve diplomatike në SHBA dhe bashkatdhetarë.
Kryeministri Haradinaj ka thënë në fjalën e tij se pavarësia e Kosovës është arritur në përpjekje të përbashkëta me ShBA-të dhe kjo e bën më të veçantë lidhjen mes dy popujve.
Ai ka pohuar se ShBA-të në krye të NATO-s ka shpëtuar jetët e qytetarëve të Kosovës.
“Është kjo një miqësi e posaçme dhe për këtë jemi krenarë”, është shprehur kryeministri Haradinaj.
Në adresimin e tij, këshilltari i presidentit Trump për sigurinë kombëtare, H R McMaster, duke i vlerësuar të arriturat e Kosovës në dhjetë vjetorin e pavarësisë, ka theksuar se ShBA-ja do të vazhdojë që të jetë bashkë me Kosovën në rrugën e saj të forcimit të institucioneve demokratike, në mbrojtjen e të drejtave të njeriut, në forcimin e sundimit të ligjit dhe të rendit dhe në zhvillimin ekonomik që do të ulë shkallën e papunësisë.
Ai ka thënë se ShBA-ja do të jetë përkrah Kosovës edhe në proceset e konsolidimit ndërkombëtar të saj.