Haradinaj: Kosova nuk e ka falur as Çakorrin e as Kullën
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka bërë homazhe në Gllogjan me rastin e 20-vjetorit të rënies së vëllait të tij, Shkëlzenit dhe bashkëluftëtarëve të tij.
Haradinaj ka thënë se shqiptarët janë popull i sakrificës dhe i respektuar. Në këtë kontekst, Haradinaj ka theksuar se nuk do të lejojë që dikush t’ia ofendojë krenarinë e t’ia mohojë dhimbjen popullit shqiptar.
“Ne jemi popull i respektueshëm por nuk duhet që askush ta teprojë më ne. Ata që mendojnë se mund të mohojnë e mund të ofendojnë dhimbjet, luftën, por edhe krenarinë tonë. As krenarinë nuk ka të drejtë dikush të na ofendojë. Për shkak se nuk është një krenari e falur, është një krenari që vjen prej jetërave të djemve më të mirë të atdheut, të vajzave më te mira”, ka thënë Haradinaj.
Gjatë fjalës së tij, Haradinaj i është përgjigjur edhe akuzave se i ka falur Malit të Zi pjesë të territorit të Kosovës.
“Nuk është e vërtetë që Kosova e ka falë Çakorrin, jo Ramushi po Kosova, as Çakorrin as Kullën. Ju e dini ne shpesh nuk i kemi deklaruar të gjitha rrjedhat e punëve që i kemi bërë. Shumë njerëz janë befasuar edhe ushtria kur iu ka ardhur si punë e kryer, por nuk kanë besuar që kryhet. Shumë kanë menduar që janë veç fjalë, veç rrena, po sot kemi ushtri. Nuk është falë Çakorri as Kulla, rren është. Krejt ata që rrejnë e dinë që janë duke rrejtur. Por e bëjnë për arsye të ulëta”, ka thënë Haradinaj.
/Epoka e re/