Haradinaj: Kosova, palë serioze në zbatimin e zotimeve të Procesit të Berlinit
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, ka marrë pjesë në Samitin e vendeve të Ballkanit Perëndimor i cili po mbahet në Poznan të Polonisë.
Në sesionin plenar, ku është diskutuar për rritjen ekonomike, reformat e nevojshme që nxisin sipërmarrjen, inovacionin dhe konkurrueshmërinë në Ballkanin Perëndimor, ka mbajtur fjalë edhe kryeministri Ramush Haradinaj.
Me këtë rast, kryeministri Haradinaj, ka konfirmuar pozicionin e Kosovës dhe angazhimin në proceset rajonale, duke thënë se Kosova është zotuar për procesin e Berlinit dhe është angazhuar për të arriturat e këtij procesi në vazhdimësi.
Poashtu, kryeministri Haradinaj tha se edhe zotimet që dalin nga Samiti i Poznanit, Kosova si palë serioze i merr me përgjegjësi të plotë për zbatimin e tyre.
Duke folur rreth procesit të finalizimit të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Kryeministri Haradinaj tha se ka dallime të mëdha ndërmjet dy vendeve që munden dhe duhet të zgjidhen.
“Unë dua të shoh rritje të tregtisë, pa barriera, midis dy vendeve tona. Por kjo nuk është një çështje e thjeshtë – ekziston një kontekst më i gjerë politik ku duhet të merren vendime të guximshme. Është e domosdoshme Marrëveshja Kornizë e Përbashkët mbi Dialogun mbi Njohjen e Ndërsjellë në kufijtë ekzistues midis dy shteteve tona”, ka thënë kryeministri Haradinaj, duke e vlerësuar se kjo është rruga e vetme përpara dhe Kosova mbetet e përkushtuar për arritjen e këtij qëllimi.
Në këtë sesion të pranishëm ishin Kryeministri i Polonisë, Mateusz Morawiecki, Kancelarja e Gjermanisë, Angela Merkel, kryeministrja e Mbretërisë së Bashkuar, Theresa May, Përfaqësuesja e lartë e BE-së për Politikë të Jashtme, Federica Mogherini, kryeministra dhe ministra të vendeve të Ballkanit Perëndimor, sekretarja e Përgjithshme e RCC, Majlinda Bregu, përfaqësues të shteteve, organizatave si dhe përfaqësues të BERZh-it, OECD-së, RYCO-së, etj.
/Epoka e re/