Haradinaj: Kosova, partnere e BE-së në luftimin e krimit të organizuar
Kryeministri Ramush Haradinaj ka thënë se shteti i Kosovës është angazhuar me përkushtim të madh për të luftuar trafikimin ndaj qenieve njerëzore.
Në konferencën e mbajtur me rastin e Ditës së Bashkimit Evropian kundër Trafikimit me Qenie Njerëzore, kryeministri Haradinaj ka treguar detaje rreth operacioneve policore të realizuar me qëllim të luftimit të kësaj dukurie.
“Kosova ka hartuar ligjin për kompensimin e viktimave të krimit. Është krijuar grupi për kompensimin e krimit i cili është duke funksionuar. Policia e Kosovës ka zbatuar 21 plane operative për raste kriminale për trafikim me qenie njerëzore. Ju sigurojmë se të gjitha vendet e Bashkimit Evropian kanë një partner të tyre, Kosovën për të luftuar krimin e organizuar”, është shprehur Haradinaj.