Haradinaj: Kosova po i kryen punët e shtëpisë me dinamikë të shtuar
Kryeministri Ramush Haradinaj ka thënë se pas miratimit të projektligjit për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, Kosova ka ndërmarrë hapin tjetër të domosdoshëm për liberalizimin e vizave, miratimin e një pako ligjesh që kanë të bëjnë me gjenden evropiane të shtetit tonë.
“Pasi që Qeveria e Republikës së Kosovës ka procesuar pakon legjislative për sundim të ligjit në Kuvendin e Republikës së Kosovës, që është paraparë me Agjendën për Reformë Evropiane (ERA) dhe Raportin e Progresit për vendin, Kuvendi i Kosovës me procedurë të përshpejtuar ka miratuar këtë pako, në seancën plenare të mbajtur më 30/03/2018. Janë miratuar ligji për parandalimin e konfliktit të interesit në ushtrimin e funksionit publik, për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Prokurorin e Shtetit; Ligji mbi Kontrollin e Brendshëm të Financave Publike; Projektligji për azil; Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për të huajt; Projektligji mbi Mbrojtjen nga Rrezatimi dhe Sigurinë Bërthamore; Projektligji për kontabilitet, raportim financiar dhe auditim; Projektligji për meteorologji; Projektligji për kërkesat teknike për produkte dhe vlerësim të konformitetit; Projektligji për pajisjet nën presion dhe Projektligji për shërbimin gjeologjik të Kosovës”, ka shkruar kryeministri Haradinaj në llogarinë e vet në “Facebook”.
Haradinaj ka thënë se po ashtu sot në mbledhjen e 39-të të Qeverisë kanë emëruar edhe Bordin e “Trepçës” si dhe Bordin e Agjencisë së Kosovës për Akreditim.
“Kosova po i kryen punët e shtëpisë me dinamikë të shtuar”, është shprehur Haradinaj.
/Epoka e re/